Fondacioni “Dorcas Aid International” (DAI) eshte nje fondacion jo fitimprures, me punën e saj bamirëse në Shqipëri përpiqent për ndryshime të qëndrueshme për ata që jetojnë në varfëri, janë të përjashtuar ose janë në një krizë.
Programi tre vjeçar “NXITJA E SIPËRMARRJES NË RAJONIN E TROPOJËS NËPËRMJET KREDITIMIT” filloi zbatimin e tij në muajin Prill 2019 në zonën e Tropojës.
Grupi i synuar i këtij programi përfshin të varfërit, si dhe familjet e tjera në zonat urbane dhe rurale që mund të kenë treguar aftësi sipërmarrëse me fokus kryesisht të rinjtë dhe gratë. Organizatat partnere në këtë program janë DORCAS ALBANIA, Agro&Social Fund dhe Shoqata “Integrim Tropoja”. Objektiv i këtij programi është lehtësimi dhe ngritja e një sistemi, që ju mundëson banorëve të zonës së Tropojës më shumë akses ndaj mikrokredisë për investime në turizëm, bujqësi dhe blegtori, tregti, shërbime, etj.
Ky Program mori jetë, pas një vlerësimi të gjendjes sociale dhe ekonomike të familjeve në zonën urbane dhe rurale të Bashkisë Tropojë dhe identifikimit të kufizimeve të instrumentave që zbusin varfërinë dhe nxisin zhvillimin.
Ky projekt synon të ndryshojë sjelljen në tre drejtime:
Në sferën individuale, projekti synon të rrisë kapacitetin e familjeve dhe t’u japë mbështetje atyre që të kenë shërbime bazë ekonomike, sociale dhe shpirtërore (në rastin e familjeve të varfëra) ose të materializojë përpjekjet e tyre për tu zhvilluar (në rastin e familjeve që kanë nisur një sipërmarrje të vogël).
Në sferën komunitare, projekti synon të rrisë pjesëmarrjen e familjeve në aktivitetet e komunitetit, rrjetet e sigurisë në komunitet dhe avokimin për shërbimet e duhura publike. Gjithashtu synon të krijojë dhe promovojë bashkëpunimin midis familjeve nga sektorë të ndryshëm (fermerët, ofruesit e shërbimeve turistike, etj.) për përfitim reciprok.
Në sferën shoqërore, projekti synon të rrisë kapacitetin e institucioneve publike, sidomos të Bashkisë, të ofrojë shërbime sociale si ndërgjegjësimin e tyre dhe përgjegjësinë për të formuluar politika dhe akte nënligjore lokale, në zbatim të politikave dhe ligjeve kombëtare.
Lidhur me të gjitha fushat e ndërhyrjes do të jenë prioritare promovimi i rolit ekonomik të grave, barazia gjinore, fuqizimi i grave dhe avokimi për shërbimin e duhur publik.